Shqiptarët sërish kryefjalë në mediat britanike. Një vrasës i dënuar shqiptar akuzohet se po shkel ligjin duke shpërndarë video dhe duke postuar në rrjetet sociale nga qelia e tij në burgun e Mançesterit, pavarësisht se rojet e burgut i konfiskuan telefonat inteligjentë.
Eugert Merizaj i njohur si “Babale” ka postuar imazhe dhe video në llogaritë e tij në Instagram dhe TikTok që kur u burgos me 32 vjet në maj për vrasjen e një tregtari droge.
Pavarësisht se stafi i burgut ka sekuestruar të paktën tre pajisje në katër muajt e fundit, ai ende duket se ka akses të rregullt në një smartphone. Posedimi ose përdorimi i celularit në burg pa autorizim është vepër penale, megjithëse ndjekjet penale janë të rralla.
Këtë muaj Merizaj krijoi një llogari në TikTok për të zëvendësuar atë që kishte 60,000 ndjekës kur iu mbyll. Ai tashmë ka rreth 18,000 ndjekës në llogarinë e tij të re. Ai filmoi veten në qelinë e tij duke kënduar i veshur me një bluzë dhe pantallona të shkurtra stilisti.