Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike Akil Kraja, në një deklaratë për media ka komentuar raportin e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.
Kraja shprehet se sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracion, Shqipëria është një nga dy vendet më të goditura në Evropë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë.
“Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi”, thotë Kraja.
Ai thekson se sipas raportit të IOM, Rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit.
“Ky raport është vetëm mina e radhës në fushën e propagandës së qeverisë Rama dhe medias së kapur përtej tij, ku flitet vetëm për turizëm dhe suksese imagjinare”, thotë Kraja.
Sipas tij e vetmja rrugë që mund të shmangë largimin e shqiptarëve nga atdheu është largimi i Edi Ramës dhe qeverisë së tij.