Në një postim në rrjetet sociale, Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e reagimit nga diplomacia shqiptare ndaj armatosjes së Serbisë me avionët Rafale nga Franca.
Zaimi theksoi se Shqipëria nuk ka reaguar as ndaj blerjeve të tjera të armëve nga Beogradi, si tanket ruse dhe dronët iranianë. Ai kritikoi gjithashtu për mosndërprerjen e marrëdhënieve me Serbinë pas ngjarjeve të rëndësishme në Kosovë.
“Prita që diplomacia e Shqipërisë të reagojë e shqetësuar për armatosjen e Beogradit me Rafalet franceze. Por, siç nuk reaguan kur Beogradi vjet bleu tanke ruse e drona iranianë, apo kur parvjet Beogradi bleu raketa kineze, ashtu nuk reaguan as tani,” deklaroi Zaimi.
Ai gjithashtu shprehu pakënaqësi për anulimin e mbledhjes së përbashkët qeveritare dhe ironizoi qëndrimin e diplomacisë shqiptare në lidhje me Kosovën.
“Prita që diplomacia e Shqipërisë të kërkojë falje – jo për emërimin e kundërshtarëve të Kurtit në poste ministrore të Shqipërisë apo në krye të SHISH, se askush nuk mban inat për këto vogëlsira – por për anulimin e paparalajmëruar dhe të pajustifikuar të mbledhjes së përbashkët qeveritare në Gjakovë, gjë e cila jo se fyeu mikpritësit, por dëmtoi rëndë një traditë e cila vërtet kishte qenë më shpesh formale, por që mezi prisnim të mbushej me esencë.
Por këto nuk ndodhën. Diplomacia e Shqipërisë bën thirrje që Kosova të konsultohet me ata që i dhanë lirinë, për çfarë? Për hapjen e një ure në mes të Kosovës.
“Ata që i dhanë lirinë Kosovës” a nuk i njeh Shqipëria si dëshmorë e heronj? Le të shkojë kryediplomati të pyesë statujën e Adem Jasharit në Tiranë, të na thotë se ç’mendon për Urën e Ibrit.”, u shpreh Zaimi.