Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur presidentit francez Emmanuel Macron, i cili të enjten deklaroi se partnerët evropianë janë të shqetësuar “për lëvizjet e njëanshme të Kosovës”. Kurti u shpreh se janë duke vendosur në sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime. Ai ka shtuar se duan bashkëpunim të ngushtë edhe nga ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe Francën.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime. Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, ka thënë ai.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha në Beograd gjatë vizitës së tij se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.