Pasditen e sotme nis sesioni i ri parlamentar. Presidenti Bajram Begaj ka një mesazh për deputetët.
“Plotësimi i kuadrit ligjor për mundësimin e votës së Diasporës në zgjedhjet e ardhshme është një gur kilometrik dhe dëshmi e vullnetit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët” shkruan kreu i shtetit.
Ai u kërkon deputetëve angazhim maksimal në muajt e fundit të mandatit. “Kalendari i reformave integruese është i ngjeshur dhe detyrat para nesh janë të mëdha e kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm. Kuvendi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij legjislative në objektivin tonë kryesor kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Hapa konkrete ligjore duhen ndërmarrë në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, në mënyrë që qytetarët tanë të jenë sa të mbrojtur, aq dhe të mbështetur në përdorimin e saj.
Ligje të tjera presin përmirësim dhe, në këtë drejtim, vigjilenca dhe kontrolli parlamentar duhet të jenë në nivelin më të lartë. Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike.
Për këtë kërkohet angazhim i përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit. Është një moment që kërkon maturi, profesionalizëm, atdhedashuri dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj qytetarëve tanë” shkruan ai.