Në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se detyra kryesore e Partisë Demokratike në 9 muajt e ardhshëm është riaktivizimi i fuqisë për protesta të pandalshme.
Berisha nënvizoi rëndësinë e angazhimit të plotë për të sfiduar qeverinë dhe për të arritur një qeveri teknike. Ai i inkurajoi demokratët të rikthejnë fuqinë e PD-së dhe të luftojnë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
“Sulmi dhe vetëm sulmi është mundësia për të shpalosur të gjithë fuqinë tënde.
Ne demokratët nuk duhet të harrojmë se PD ka lindur nga guximi i atyre që i nxorën kraharorin diktaturës më të egër staliniste në Europë.
Kemi harruar se rrënjët e PD gjenden në ato qindra e mijëra familje shqiptare që dinjitetin, lirinë e kanë kryesoren.
Që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithmonë për liri, dinjitet dhe demokraci.
Që nuk refuzojnë kurrë betejën kur ajo bëhet për dinjitet, për familjen dhe kombin e tyre,.
Kemi harruar dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se këta guximtarë në familjet e tyre kanë rritur fëmijë me po ato ideale që shembën diktaturën e Enver Hoxhës.
Prandaj detyra jonë kryesore në këto 9 muaj është të rikthejmë, riaktivizojmë të gjithë fuqinë e papërmbajtshme të PD dhe të dridhim nga themelet narkoshtetin e Edi Ramës dhe të ecim të sigurt drejt qeverisë teknike.”, u shpreh Berisha.