Ish-kryeministri Sali Berisha thirri sot për herë të parë konferencë shtypi nga arresti në shtëpi. Gazetarët ishin në selinë blu, Berisha komunikonte nga shtëpia. Dha versionin e tij për dosjen me 500 faqe të SPAK-ut që e mori te pandehur per korrupsion për kompleksin Partizani.
“Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt janë monstrat me raste konkrete të fëmijëve tanë, përfshi këtu fëmijët autikë. Këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse këta jo vetëm amnistojnë me urdhër dhe kundrejt pagesës zyrtarë kriminelë që me vjedhjet e tyre kanë shkaktuar për mungesat e ilaçeve apo përdorimin e ilaçeve të skaduara etj, etj.
Vdekjet e qindra e fëmijëve të moshave të ndryshme, por këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin se krim virtytin e bamirësisë shqiptare, të dëshmuar në mënyrën më transparente dhe ligjore, por ata si monstra të fëmijëve tanë, në rastin konkret femijëve autikë, kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë.
Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë” tha ai.









