Mëngjesin e sotëm punonjësit e aeroportit të Vlorës dolën në protestë duke bllokuar punën për shkak se nuk u kanë kaluar pagat. Ata kanë protestuar në hyrje të kantierit dhe pas negociatave me përgjegjësit e firmës, duke iu premtuar paga kanë pezulluar protestën.
Punonjësit shprehen se nëse nuk u kalon paga deri të premten do të ketë pezullim të punimeve dhe do të zhvillohet një protestë tjetër.
Aeroporti i Vlorës ka reaguar në lidhje me këtë dhe lajmëron se punimet në kantier po vijojnë plotësisht në normalitet dhe nuk ka pasur pezullim të tyre.
“Projekti vazhdon sipas planeve dhe afateve të përcaktuara, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës. Disa mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specifik dhe një grup të vogël punonjësish të tij, të cilët kanë shprehur ca shqetësime në lidhje me pagat e tyre. Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në kantierin e aeroportit”, shkruan aeroporti i Vlorës.