Prokuroria e Kukësit ka kërkuar masa sigurie për 22 punonjës të Policisë së Shtetit, konkretisht nga Seksioni i Qarkullimit Rrugor në autostradën Milot-Morinë. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, duke rezultuar në përvetësimin e rreth 2 milion lekëve nga gjobat e vendosura për automjetet me targa të huaja.
Gjatë hetimeve, është zbuluar se gjobat e vendosura nga agjentët verifikues nuk ishin arkëtuar dhe dyshohet se shuma është përvetësuar nga punonjësit e policisë. Prokurori ka kërkuar masa të ndryshme sigurie, përfshirë “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim nga detyra”, për disa prej tyre.
Veprimet hetimore u iniciuan pas referimeve nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët identifikuan aktivitetet e paligjshme të punonjësve të policisë për periudhën 2023. Shuma totale e pa arkëtuar arrin në rreth 2,123,140 lekë, duke përfshirë kamatat e vonesave.