Ditën e djeshme ish deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ndërroi jetë. Ai ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak në moshën 44-vjeçare. Politikanë të shumtë kanë reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta papritur të Gerti Bogdanit.
Ditën e sotme Partia Demokratike e ka shpallur ditë zie dhe të gjitha aktivitete do të anulohen. “Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD.
Ndërsa Kuvendi njofton se homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në sallën e seancave plenare. Për rrjedhojë seanca parlamentare që ishte programuar të niste të enjten në orën 10:00 është shtyrë në orën 17:00.