Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi sot mbledhjen e tij në Pragë, ku u morën disa vendime të rëndësishme për futbollin europian. Një moment historik për futbollin shqiptar është planifikuar për 8 shtator 2025, kur Komiteti Ekzekutiv do të mbajë mbledhjen zyrtare në Tiranë, nën organizimin e Federatës së Futbollit.
Kjo ngjarje do ta vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes europiane dhe tregon rritjen e ndikimit të vendit në këtë fushë.
Gjatë mbledhjes në Pragë, u miratua strategjia e re për futbollin e vajzave 2024-2030 dhe u caktua fondi i solidaritetit për klubet që nuk marrin pjesë në garat e UEFA-s për periudhën 2024-2027.
Po ashtu, u vendos që finalja e UEFA Champions League 2027 të mos zhvillohet në San Siro, ndërsa vendi pritës për Kampionatin Europian të UEFA U-19 Futsal 2025 u caktua Kishinjev, Moldavi. Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv do të mbahet në Lozanë më 16 dhjetor 2024.