Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës nuk do të marrin pjesë për një kohë në trajnimet ndërkombëtare të organizuara dhe mbështetura nga ShBA-ja.
Siç ka raportuar Dukagjini nga burime të njohura me këto zhvillime, kjo masë është marrë si një formë sanksioni për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, kishte paralajmëruar atë kohë Ambasada amerikane në Prishtinë.
Këtë mërkurë, autoritetet nuk janë përgjigjur nëse kanë ndaluar bashkëpunimin me Policinë. Zyrtarët policorë nuk kanë konfirmuar as mohuar përjashtimin nga trajnimet ndërkombëtare, ndërsa ish-drejtues të Policisë, si Rashit Qalaj, shprehin shqetësim për mungesën e trajnimeve në qendrën Marshall dhe në FBI.
Ish-zv.ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, thekson se mungesa e trajnimeve dëmton Policinë dhe kërkon kujdes në veprimet e Qeverisë për integrimin në botën demokratike. Ndërkohë, ndërkombëtarët kritikojnë Qeverinë për mosbashkëpunim, veçanërisht në veriun e Kosovës.