Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli në një deklaratë për mediat është shprehur se Bashkia e Selenicës ka keqmenaxhuar fondet publike.
Deklarata e zëdhënëses për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli:
Bashkia Selenicë, e denoncuar edhe nga emisioni investigativ ‘Piranjat’, për keqmenaxhim të fondeve publike:
Ka Lidhur kontratën nr. 1147/1 dt 19.06.2023 me objekt: “Meremetim dhe Hidroizolim i Shkollave 9-vjeçare” Velcë, Lubonjë, Ramicë dhe Peshkëpi, me vlerë 116 mijë euro dhe kontraktor BOE APIS CONSTRUCTION & Asi-2A CO, i cili nuk paraqiti ofertën më të ulët, afati 60 ditë nga data e lidhjes së kontratës;
Ka lidhur kontratën më datë 09 Korrik 2024 me objekt: Rikonstruksion i Shkollës 9-vjeçare ‘Dëshmorët e Peshkëpisë’, afati 7 muaj, me vlerë 753 mijë euro, dhe kontraktor Asi-2A CO shpk me pronar bashkëshortin e nënkryetares së bashkisë Fier, Eleni Gjikondaj, denoncuar më parë nga PD.
Sipas relacionit arkitektonik të kontratës së parë ndërhyrjet për të 4 shkollat, do të konsistonin në: hidroizolime, patinime, prishje e shtresave në tarracë, etj.
Kontrata e dytë e Korrik 2024, për rikostruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare ‘Dëshmorët e Peshkëpisë’, për paradoks përfshin punime pjesë e tenderit të mëparshëm.
Pra, në 2023 lidhin kontratë për meremetim dhe hidroizolim, dhe 3 muaj më pas, po në 2023, shpallet tenderi për projektimin e rikonstruksionit të shkollës 9 vjeçare ‘Dëshmorët e Peshkëpisë’, rikonstruksion që u konkludua me kontratën respektive në 9 Korrik 2024.
Por këtë nuk e kuptuar kryetari Nertil Ballaj i cili thotë:
“Nuk ka asnjë konflikt interesi. Nuk më duhet kush po i bën punimet. Tenderi vjet është bërë për rregullime të objekteve, që i prishin nxënësit dhe këtë vit për rikonstruksionin e plotë të saj..”
Sipas kësaj llogjike çdo vit duhet bërë një tender për ‘prishjet që bëjnë nxënësit’ dhe po të njëjtin vit fillojnë procedurat për rikonstruksionin e plotë.
Kjo është llogjikë të korruptuarish jo administratorësh të qyteteve dhe të fondeve që sigurohen me taksat e banorëve të Selenicës.