-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fatos Çoçoli: Financat e minishtetit bektashian

Kryesoret

Flasin për rreth 3 miliardë euro fitim në vit në qytetin e Romës nga prania e minishtetit të Vatikanit, arsye e vizitave turistike të qindra mijëra turistëve katolikë nga bota, e gjithë bota, sidomos polakë. Qindra mijëra të tjerë jokatolikë e vizitojnë Vatikanin dhe mrekullinë e objekteve të tij të kultit, si Bazilikën e Shën Pjetrit, muzetë e Vatikanit e me radhë. Me krijimin e minishtetit bektashian tek ne, katër herë më të vogël në sipërfaqe nga Vatikani, të ardhurat e shtuara nga turizmi mund të jenë fillimisht në nivele disa milionë euro, por mund të na shtohen ndjeshëm, me rritjen e kërshërisë në botë për këtë minishtet të ri. Ndërkohë që minishteti nuk do i rëndet arkës së shtetit shqiptar dhe taksave tona asnjë qindarkë. Urdhri bektashian ka ditur të mbajë objektet e tij të kultit dhe njerëzit që u shërbejnë atyre, falë dhuratave të marra nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit.

Madje, besimtarët bektashinj janë të vetmit që dhurojnë për fenë e tyre në Shqipëri, pasi teqetë janë të lidhura me besëtytninë e vendit të mirë, e vendit të shenjtë. Urdhri bektashi e ka zgjidhur mënyrën e financimit më mirë se komunitetet e tjera fetare tek ne, pasi siguron të ardhura, përmes ditëve të shenjta të çdo teqeje, që janë të ndryshme. Paratë burojnë kryesisht përmes udhëtimeve fetare-pelegrinazheve, ku besimtarët dhurojnë. Në vend kemi 166 teqe dhe tyrbe, shumica e të cilave janë aktive. Urdhri bektashi në Shqipëri është në gjendje të ngrejë një buxhet disa miliona euro në vit, ende pa kaluar në statusin e Nuncit Apostolik apo të një minishteti sovran, përmes dhuratave nga besimtarët në Shqipëri, por akoma edhe më shumë nga fonde të siguruara nga bektashinjtë emigrantë në gjendje më të mirë ekonomike, se të 115 mijë bektashinjtë e regjistruar në Shqipëri.

Madje, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me seli në Shqipëri ka marrë fonde dhuraë edhe nga emigrantë ortodoksë shqiptarë, kryesisht nga SHBA-të. Nëse minishteti bektashian arrin juridikisht të ngrihet, vetëfinancimi i tij nuk do të përbëjë problem dhe ky shtet do të mbijetojë, edhe sikur të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Dhe mirë është të mos marrë, pasi nëse merr, prishet barazlargësia e shtetit tonë në raportet e tij financiare me besimet fetare tek ne. Shteti ynë nuk ka dhënë fonde deri tani për fetë tek ne dhe mirë është të vijojë me këtë qëndrim. Nëse minishteti bektashian formohet ligjërisht, ai do të shërbejë jo vetëm si një tërheqje e fortë turistike për vizitorët e huaj në Shqipëri, por do të lartësohet në një nivel plotësisht dinjitoz dhe për t’u marrë shembull, produkti më paqësor i konfliktit mes islamit dhe krishterimit prej 7 shekujsh, besimi bektashian.

Ky urdhër përfaqëson tolerancën, të ndjerit mirë të të qënit bashkë dhe respektin ndaj gruas, si dhe përzierjen e elementeve të besimit islam dhe atij të krishterë në një formë tejet të pranueshme dhe njerëzore të praktikës fetare. Bektashizmi ka ndihmuar jo pak në mbijetesën e identitetit shqiptar nën errësirën e diktuar nga osmanizmi, duke shërbyer për të ruajtur harmoninë fetare në Shqipëri për shekuj me radhë. Ai e bën besimin fetar t’i shërbejë pikërisht asaj për të cilën ka nevojë më tepër njeriu, respektimin e idealeve dhe vlerave njerëzore, duke e “sjellë në tokë” Zotin, duke e mishëruar atë tek një ndërtesë-teqeja, tek një tyrbe, apo një vend i shenjtë, i lidhur gjithmonë me një personalitet njerëzor të gjallë, ose që ka qenë gjallë në atë vend, duke kontribuar bindshëm për komunitetin atje. Ja përse drejtuesit e urdhrit fetar bektashi marrin dhurata dhe fonde edhe nga besimtarë të fesë ortodokse.

Duke i dhënë besimit bektashi një strukturë sovrane, vendi ynë do të arrijë të theksojë vlerat e tij të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, sidomos në një kontekst politik, ku ekstremizmi fetar ka përfshirë shumë vende të tjera. Ja përse ky projekt i paraqitur edhe thjesht si ide, kapi faqen e parë të “The New York Times”, gazeta më e shitur në kopje fizike në botë me mbi gjysmë milioni kopje dhe më e ndjekura në internet me 9 milionë të abonuar ‘online’.

Duke ngritur një shtet autonom për një urdhër tolerant si bektashizmi, qeveria shqiptare sinjalizon për Perëndimin se mbetet një vend, ku pluralizmi fetar dhe liritë e besimit janë të garantuara. Kjo do ta ndihmonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të, fuqitë më demokratike të botës, që shpesh shqetësohen për ndikimet fetare radikale në rajonin tonë. Dhe të gjitha këto të mira, që përkthehen edhe në dhjetëra miliona euro shtesë në turizëm, do t’i kemi pa paguar një lek.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit