Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur skepticizëm mbi vendimin e Kosovës për të lejuar importin e mallrave serbe përmes pikëkalimit të Merdarës. Ai pretendon se kryeministri Albin Kurti do të përpiqet të pengojë qarkullimin e lirë të produkteve duke shpikur skema të reja.
Pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, që tani parashikojnë kontrollin e detajuar të produkteve serbe, Vuçiç thotë se Kurti mund të përfshihet në manipulime dhe pengesa për të bllokuar importin, pavarësisht rregullave të pranuara nga BE-ja.
“Është e rëndësishme për ekonominë serbe, por ai do të bëjë të pamundurën për ta ndalur atë. Albin Kurti tani do të shpikë skanerë, kështu që do t’i presë 22 muaj dhe vazhdimisht do të sajojë diçka të tillë. Ai e di se kur gjërat ndodhin sipas rregullave, me respektimin e lirive themelore të mbështetura nga BE-ja dhe bota e qytetëruar, atëherë Serbia, si ekonomi dominuese në Ballkanin Perëndimor, mund të realizojë interesat e saj”, tha Vuçiç.
Ai shprehet se nuk ka besim në vullnetin e Prishtinës për të ndjekur udhëzimet e Brukselit, duke parashikuar se situata mund të përkeqësohet sërish në ditët në vijim.
“Pres që në ditën e tretë të ndalojnë dikë për diçka, që ditën e katërt të mbyllin të gjithë kalimin, që ditën e pestë të thonë se kanë gjetur dy plumba që do t’i vendosin vetë dhe pastaj do të thonë se tani po mbyllen për 11 muajt e ardhshëm derisa të gjejnë skanerët dhe truket e ngjashme. Kjo nuk do të ndryshojë, sepse unë i njoh mirë ata”, tha Vuçiç