Dhjetëra banorë të njësisë administrative Nikël protestuan në qendër të njësisë duke bllokuar rrugët kryesore për të kërkuar rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj”. Shkolla u dëmtua gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe përfshihet në programin e rindërtimit të financuar nga Bashkimi Europian, EU4Schools.
Megjithatë, pas shembjes së saj, nuk ka pasur avancime konkrete për rindërtimin, duke shkaktuar frustrim te banorët. Fëmijët e zonës kanë frekuentuar shkolla alternative për afro 4 vjet, duke mësuar me turne.
Protesta e sotme theksoi nevojën emergjente për rikthimin e një infrastrukture arsimore të qëndrueshme, pasi shkolla shërben për 455 nxënës nga arsimi parashkollor deri në arsimin e mesëm.