Në tubimin e tij të përnatshëm, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, kritikoi qeverinë e Edi Ramës për pensionet, duke e cilësuar të papranueshëm nivelin aktual.
Ai solli shembullin e Kosovës, e cila ka vendosur të rrisë pensionet me 20%, duke akuzuar Ramën për korrupsion dhe përçmim të pensionistëve. Berisha premtoi se në Shqipëri nuk do të ketë pension nën 200 euro, duke e quajtur këtë një zotim solemn.
Ai theksoi se Kosova ka një qeveri që investon në rroga dhe pensione për qytetarët, ndërsa në Shqipëri vjedhjet janë shumë më të larta.
“Qeveria e Kosovës, në një akt të lartë përgjegjësie, e rriti atë jo me 16 milionë, siç bëri ky i pashpirti, e rriti me 100 milionë euro. E rriti me 20 përqind. E rriti në 600 milionë euro.
Të dashur pensionistë dhe pensioniste, Shqipëria ka një buxhet fiks dy herë më të madh se Kosova, por problemi është se Kosova ka vjedhjet, ryshfetet 5 herë më të ulëta se Shqipëria.
Problemi është se qeveria e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës paratë nuk i kthejnë në pasuri të tyre, por i kthejnë në rroga dhe pensione për qytetarët.
Problemi është se ryshfeti në Kosovë është pesë herë më i ulët se sa në narkoqeverinë e Edi Ramës.
Shkurt miq, Edi Rama e urren Albin Kurtin se ai nuk vjedh qytetarët e Kosovës siç vjedh Edi qytetarët e Shqipërisë.”, u shpreh Berisha.