Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme. Në rend dite është vetëm një pikë: Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PDK ka propozuar që në këtë seancë të miratohet edhe një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetime penale ndaj Kusari-Lilës lidhur me këto audio-incizime.
Po ashtu kërkohet nga Grupi Parlamentar i LVV shkarkimi i Mimoza Kusari-Lila nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar.
Në audio-incizimin e publikuar, Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me Radojciç për Ligjin për pagën minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese. Kusari ka reaguar dje në Kuvend, ku ka thënë se video-incizimi është i fabrikuar.