Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale ka kritikuar Edi Ramën pas vizitës së tij në Hungari. Në këtë vizitë kryeministri Edi Rama i thotë në sy Orbanit se Hungaria është një model për ne.
“E vërteta është që modeli i Kryeministrit Orban në Hungari nuk mund të jetë kurrë modeli ynë i rrugëtimit europian. Për grupin më të madh në Parlamentin Europian EPP modeli i Kryeministrit Orban është ai i kontrollit ndaj medias që ka cenuar lirinë e shprehjes dhe që ka sjell perceptimin për rritjen e korrupsionit. Në këtë drejtim, Edi Rama është kampion jo vetëm në Europë, por edhe në Botë. Prandaj edhe Edi Rama duket të jetë shembulli dhe modeli i Kryeministrit Orban dhe jo anasjelltas.”, shkruan Bardhi.
Ai theksoi se modeli i Shqipërisë nuk mund të jetë kurrë si Hungaria dhe sipas tij problemi i procesit të integrimit quhet Edi Rama. Bardhi tha se zgjidhjen e kanë shqiptarët e ndershëm në largimin e Ramës.