-sidi education-spot_img
-0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Erion Dasho: Pluralizmi i dytë

Kryesoret

Java që po mbyllet nisi me protestën më të ashpër të viteve të fundit kundër regjimit të rilindjes dhe Boratit. Protesta kulmoi me djegien e fotos së këtij të fundit dhe litrat e pafundme të gazit lotsjellës të hedhura mbi protestuesit.

Ndërkohë java u mbyll me vizitën në Shqipëri të “vëllait” të Boratit, Presidentit Erdogan, dhe vizitën e Boratit tek “miku” hungarez, Kryeministri Viktor Orban. Thonjëzat në fjalët mik dhe vëlla janë thjesht për efekt të kuotimit në ligjëratë të drejtë të zotit Erdogan dhe zotit Orban dhe aspak shenjë mosbesimi për ndjenjat e tyre miqësore dhe vëllazërore ndaj Boratit tonë.

Përkundrazi

Z. Erdogan dhe Z. Orban janë pjesë e një klubi ekskluziv liderësh ku bëjnë pjesë edhe Putin, Aliyev dhe i përjetshmi Lukashenko. Këta të pestë janë të vetmit liderë europianë që ishin në pushtet në vitin 2013, vitin e ardhjes në pushtet të Boratit. Është më se normale që ata ta shohin Boratin si mik, vëlla, madje edhe si një nxënës që ecën në rrugën e shtruar prej tyre.

Për paralelizëm ndërkohë që Borati qeveris Shqipërinë, Greqia ka ndërruar tre kryeministra, Maqedonia katër dhe Italia gjashtë.

Ndërkohë që për pesë kryeministrat e tjerë janë popujt turq, hungarezë, rusë, bjellorusë dhe azerbajxhanas që vendosin e gjykojnë, shqiptarët prej vitesh i bëjnë vetes pyetjet:

Kur do të marrë fund ëndrra e keqe që solli në pushtet personin që theu rekordin shqiptar të kohës së pluralizmit dhe po u afrohet rekordeve famëkeqe të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut?! A do të kenë qytetarët e këtij vendi fatin të jetojnë sërish në demokraci dhe pluralizëm?!

***

Protesta e së hënës dërgoi disa mesazhe që duhen lexuar me shumë vëmendje nga dy faktorët më të rëndësishëm të skakierës politike, nga drejtuesit e opozitës reale, por mbi të gjitha nga populli opozitar.

Partia Demokratike ka përpara sfidën më të madhe të ekzistencës së saj. Misioni i PD-së ka qenë përmbysja e totalitarizmit dhe sjellja e pluralizmit politik në Shqipëri. Kurrë më shumë se sot këto dy misione nuk kanë qenë më të kërcënuar. Një mandat i katërt i rilindjes dhe Boratit do të ishte vrasës për demokracinë shqiptare.

PD i hyn kësaj sfide me një faktor opozitar të përçarë nga kuaj troje të panumërt. Përveç partizave tradicionale të kryetarëve, efekti elektoral i të cilave për fat të mirë pothuajse është zeruar, janë dy fraksionet e sapodala nga demokratët të cilat janë ende të paprovuar dhe lëvizjet e sponsorizuara soroiste, kolona të pesta të rilindjes.

Kryetari në arrest prej një viti, deputetë të burgosur politikë, figura qendrore të partisë që kërcënohen me burg, madje edhe me jetë, plotësojnë terrenin mbytës të dominuar prej vitesh nga akaparimi i çdo pushteti, kontrolli i medieve, censura e rrjeteve sociale, aleanca okulte me krimin dhe narkotrafikun dhe pushteti i pakufishëm ekonomik.

Për t’ju rikthyer fabulës së fillimit, zgjedhjet shqiptare të 2025-ës po bëhen gjithmonë e më të ngjashme me farsat elektorale të Rusisë së Putinit dhe Bjellorusisë së Lulashenkos.

Këtu duhet të hyjë në lojë, i vetmi faktor që mund të bëjë akoma diferencën, protesta dhe qëndresa qytetare.

***

Deri më sot, populli i është përgjigjur PD-së dhe opozitës së vërtetë në çdo thirrje për protestë. Me dhjetëra mijëra kanë mbushur sheshet duke dërguar mesazhe që u kanë futur drithmat Boratit dhe boratëve.

Me nisjen e garës elektorale 2025, protestat me shpeshtësinë e deritanishme nuk janë më të mjaftueshme. Ose protesta e përnatshme në Rrugën e Shpresës duhet të dalë në Bulevard, ose një protestë e ngjashme me atë të së hënës duhet të bëhet ritual i përjavshëm.

Zgjidhje tjetër nuk ka!

Nëse Borati nuk vendoset nën presion për të pranuar qeverinë teknike, farsa zgjedhore nuk mund të prodhojë dot një rezultat të ndryshëm nga 2017-a apo 2021-i. Një garë zgjedhore e barabartë, në kushtet aktuale do të ishte utopi dhe opozitës së sotme nuk i falet një përqasje utopike.

***

Qindra mijë votuesit të cilët e mbështetën opozitën edhe në ditën më të zezë, atë të hyrjes në zgjedhje pa vulë, qindra mijë emigrantët që sot kanë të drejtën e votës dhe çdo shqiptar që në 2025-ën mëton ndryshimin, kanë të drejtën e shpresës dhe pritshmërisë.

Por ata kanë edhe detyrimin e përballjes me neodiktaturën e rilindjes dhe Boratit. Partia Demokratike sot ka nevojë për mbështetje më tepër se kurrë.

Shqiptarët e 2024-ës janë thirrur sërish për t’u bërë pjesë e historisë sikundër shqiptarët e 1990-ës. Uroj që kjo të ndodhë dhe zgjedhjet e vitit tjetër të shënojnë riardhjen e demokracisë dhe rivendosjen e pluralizmit.

Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë…

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit