Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka bërë një postim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për asgjësimin e ajkës së vendit. Ai e ka krahasuar këtë situatë me regjimin komunist të vitit 1947, që, sipas tij, synonte eliminimin e çdo kundërshtari politik.
Noka shprehet se si në të kaluarën, regjimi i Ramës po përdor dhunë dhe terror për të shtypur zërat opozitarë. Ai thekson se historia nuk duhet të përsëritet në heshtje dhe se opozita do të luftojë deri në fitoren e demokracisë.
Postimi i Nokës:
Si regjimi i idhujve të Ramës asgjësoi ajkën e vendit.
Në vjeshtën e vitit #1947, regjimi vrastar komunist kërkonte asgjësimin e çdo kundërshtari politik, të çdo atdhetari që dëshironte #Shqipëri demokratike.
Kështu instalohej diktatura, me dhunë, vrasje, arrestime dhe terror ndaj mendimit ndryshe dhe zërit opozitar. Dekada më vonë Edi Rama po urdhëron eliminime politike, duke lëshuar me një #SKAP-e të hordhitë e tij e tij drejt opozitës.
Ne nuk do të lejojmë që historia të përsëritet në heshtje. Do të luftojmë deri në fitore. Më poshtë gjeni emrat e viktimave të regjimit, që për demokraci e atdhe morën dhe.
Shefqet Beja, deputet, pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, dënohet me varje. Sheh Ibrahim Kurbunara, deputet, një ndër firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë, dënohet me varje.
Dr. Enver Sazani, deputet, drejtor i Spitalit Ushtarak, dënohet me vdekje-pushkatim. Salaudin Toto, deputet, themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe kryetar i parë i këtij instituti, dënohet me vdekje-pushkatim.
Irfan Majuni, deputet, nëpunës në #Tiranë, dënohet me vdekje-pushkatim. Sulo Ismail Klosi, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg, kryeinxhinier në #Rubik, dënohet me varje.
Riza Alizoti, diplomuar në Oksford dhe specializuar për shfrytëzimin e minierave në Strasburg, dënohet me varje.
Salim Kokolari, pedagog në Liceun Francez në #Gjirokastër, mbështetës i Luftës Nacionalçlirimtare, dënohet me vdekje-pushkatim.
Muhamet Prishtina, djali i patriotit Jahja Prishtina, dënohet me vdekje-pushkatim.
Tefik Deliallisi me profesion mësues dënohet me vdekje-pushkatim. Hysen Shehu, djali i Sheh Ibrahim Kurbunarës, dënohet me vdekje-pushkatim. Beqir Çela me profesion mësues dënohet me vdekje-pushkatim. Abdyl Kokoshi, i diplomuar për drejtësi, dënohet me vdekje-pushkatim.
Pertef Karagjozi, nëpunës në Tiranë, dënohet me vdekje-pushkatim. Agathokli Xhitoni me profesion notar dënohet me vdekje-pushkatim.
Të përjetshëm në altarin e demokracisë!