Deputetët e Kuvendit të Kosovës debatuan të hënën për çështjen e furnizimit me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një seancë të bojkotuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ata e akuzuan pushtetin se ka lejuar “krizë në furnizimin” e ushtarëve të FSK-së me ushqim dhe kërkuan që Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ta zgjidhin çështjen e ushqimit, ndërsa bënë thirrje që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të japë dorëheqje.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë, megjithëse e pranoi se tenderi për furnizimin e saj me ushqim është anuluar.
Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se “po e lë ushtrinë pa bukë” në seancën e thirrur nga deputetët e opozitës.
“Sot po trajtojmë situatën me logjistikën, shërbimet. Merreni me mend, jemi mbledhur gjashtë vjet pasi u krijua ushtria, dhe jemi kthyer po flasim për logjistikën. Ushtari i Kosovës nuk ka shkuar atje [në ushtri] për ushqimin e tij, për ato kushte, për pagën. Ai është në gjendje me dhanë racionin e vet ditor për secilin qytetar. Ai ka shkuar për të shërbyer deri në frymën e fundit të jetës së vet”, tha Haradinaj.