Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner reagoi mbi çeljen e negociatave, hapjes së grup-kapitullit të parë të bisedimeve në procesin e anëtarësimit në BE.
“Urimet e mia të përzemërta për Shqipërinë. Ky hap është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të Shqipërisë para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi, konsolidimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
Është merita e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që megjithë vonesat dhe sfidat kanë qëndruar në vizionin e tyre për një Shqipëri demokratike dhe moderne si pjesë e Bashkimit Evropian.
Për Gjermaninë është e qartë: Shqipëria dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane, vendi i tyre është në BE. Procesi drejt këtij qëllimi bazohet në rezultate dhe do të kërkojë edhe në të ardhmen reforma pjesërisht të vështira.
Nevojitet kontributi konstruktiv i të gjitha forcave politike të vendit, çka është njëkohësisht edhe ajo që mund të presin qytetarët e këtij vendi. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë me të gjithë forcën e saj në rrugën drejt BE-së dhe reformat e nevojshme” tha ai.