-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Pa veto dhe vonesa…

Kryesoret

Më në fund, më 15 tetor në Luksemburg do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila shënon dhe çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për grupin e parë të kapitujve, kupërfshihen drejtësia, gjyqësori, të drejtat dhe liritë e njeriut ose “Themeloret“. Padyshim ngjarje me rëndësi mbas dy vitesh bllokimi, për të cilën meritojnë përgëzimet më të mira diplomacia, negociatorët, Komiteti Kombëtar i Integrimit dhe institucionet e përfshira në këtë proces historik.

Tani problemi është që mbas 10 vitesh pritjeje si vend kandidat, të bëjmë çmos, me aq sa kemi në dorë për të shmangur vonesa dhe pengesa të tjera, që t’i afrohemi sa më shumë objektivit në parim për anëtarësim në BE në vitin 2030.

Këtu pa mohuar problemet tona të njohura, sfida më serioze e cila nuk është vetëm në dorën tonë është mundësia e ndonjë vetojetjetër që do na qëndrojë varur te koka, jo vetëm nga Greqia, por dhe nga ndonjë vend tjetër, përfshirë dhe  Brukselin.

Lidhur me këtë veto problematike, muajt e fundit në vendet anëtare të BE-së vazhdojnë debatet dhe diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së saj dhe në fushën e politikës së jashtme në përgjithësi, përfshirë dhe zgjerimin; dhe për ta zëvendësuar atë me shumicën e cilësuar të votave.

Shkaku kryesor për shtimin e trysnisë dhe këtyre kërkesave është bërë vendosja dhe abuzimi me këtë veto në 20 vitet e fundit, çka ka shkaktuar vonesa dhe pengesa në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate në BE. Rikujtojmë veton e Sllovenisë më 2008-2013 ndaj Kroacisë, veton mbi 10 vjeçare të Athinës ndaj Shkupit dhe dy vitet e fundit ndaj vendit tonë, ndërsa Bullgaria dy vjet më parë ndaj Shkupit, e cila është ende në fuqi, në pritje të ndryshimeve të kushtetuese.  

Aktualisht, kur gjeopolitika me interesat e saj pragmatike renditet në krye të axhendës së BE-së, sidomos mbas agresionit rus kundër Ukrainës, kur BE-ja ndodhet përpara sfidave që kërkojnë vendimmarrje më të shpejtë, kur anëtarësimi i vendeve tëBallkanit Perendimor ka dalë sërish në plan të parë, heqja e të drejtës së vetos është bërë kërkesë dhe më ulëritëse.

Në këtë drejtim kohët e fundit kanë tërhequr vëmendjen disa ngjarje, të cilat kanë krijuar dhe pritshmëri në fakt naive mbi njëheqje të shpejtë të vetos. Kështu, në nëntor 2023 Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të posaçme për kalimin te votimi i cilësuar në fushën e politikës së jashtme, çka nga disa u muar e mirëqenë. Mirëpo, Parlamenti Europian nuk ka asnjë fuqi detyruese në këtë drejtim brenda BE-së. Ai vetëm sugjeron dherekomandon. Është Këshilli Europian që vendos.

Ndërkohë, heqjen e vetos e kanë kërkuar zyrtarisht dhe 9 shtete anëtare, ndërmjet të cilave Franca, Italia dhe Gjermania; mirëpo dhe ato nuk i plotësojnë dot kriteret që propozimi i tyre të shqyrtohet, le më të miratohet; ato nuk përfaqësojnë  65 për qind të popullsisë së BE-së. Ndërkaq, 13 vende të tjera  janë shprehur zyrtarisht kundër heqjes së kësaj vetoje. Nevojën dhe mbështetjen për heqjen e saj e kanë shprehur muajt e fundit dhe Presidenti Macron me Kancelarin Scholz  në fjalimet e tyre europiane në Strasburg dhe Sorbonë, por pa angazhime konkrete.  

Veç sa sipër, është folur dhe për mundësinë e heqjes së kësaj vetoje nëpërmjet të të ashtuquajturit ” neni pasarel 48” i Traktatit të Lisbonës, sipas të cilit mund të kalohet shkallë shkallë në zëvendësimin e të drejtës së vetos me shumicë të cilësuar pa qenë nevoja e ndryshimit të Traktateve. Mirëpo, dhe kjo mundësi është e parealizueshme sepse kërkon pëlqimin e të 27 vendeve anëtare, diçka e pamundur.

Jashtë këtyre debateve teorike, për diplomatët që e njohin si funksionon makineria e Brukselit, përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve që ka punuar 10 vjet në Përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel, kjo kërkesë është më tepër dëshirë e mirë se realitet i arritshëm; ajo mund të shërbejë vetëm si qetësues/ngushëllues për “t’i marrë me të mirë” vendet aspirante. Le të shohim nga afër “pse“-të e këtyre pengesave dhe kryesorja, ç‘duhet bërë që të shmangim veto dhe vonesa të reja.

Së pari, e drejta e vetos në fushën e politikës së jashtme dhe të zgjerimit ka të bëjë me të drejtat dhe liritë demokratike të çdo vendi anëtar të BE-së. Ajo buron nga fakti se BE-ja është Bashkim Politik dhe Ekonomik. Ndaj,sipas Traktatit të saj themelor, secili prej të 27 shteteve anëtare ka të drejtë të thotë si PO ashtu dhe JO.  

Ca më tepër se zgjerimi i saj është aspekt madhor politik, që përfshin favore dhe përfitime, por dhe probleme, përgjegjësi dhe kostot përkatëse, duke filluar nga ato financiare. Mirëpo këto kosto rëndojnë mbi xhepat e taksapaguesve të secilit prej të 27 Shteteve Anëtare të BE-së e jo vetëm të një shumice qoftë kjo dhe e cilësuar.

Sa për ilustrim, vetëm anëtarësimi i Ukrainës në BE do të kërkonte shpenzime shtesë të BE-së mbi 40 miliard Euro në vit, veç mbi 500 Miliard Euro të tjera të nevojshme për rindërtimin e saj mbas lufte; ndërsa për Balkanin Perendimor 80 Miliard Euro tëtjera. Veç kësaj, zgjerimi do të vështirësojë tregun e punës dhe të mallrave bazë, sidomos të drithërave në vendet anëtare të BE-së,ku Ukraina është eksportues kryesor botëror, do të pakësojë ndjeshëm subvencionet për bujqësinë, do të shtojë kontributet e secilit vend dhe do të pakësojë përfitimet e tyre financiare.

Gjithashtu, secili vend i BE-së ka të drejtën të ushtrojë kontroll dhe të thotë fjalën e vet lidhur me gjendjen e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në vendet kandidate, duke arritur deri në bllokim të negociatave, kur ata pikasin probleme në vendet kandidate, sepse BE-ja është bashkim interesash por dhe  vlerash.

Shkaku tjetër lidhet me faktin se vendet anëtare të BE-së duan tëj enë të sigurt përpara se një vend kandidat të aderojë në BE që të mos kenë asnjë problem, incident të trashëguar apo të lidhur me vendet anëtare, sidomos me ato fqinje. Kjo kërkon që vendet kandidate të shfaqin vlerat, parimet dhe virtytet e njohura demokratike; veç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ato duhet të tregojnë tolerancë, lëshime, gatishmëri për dialog me mjete demokratike dhe diplomatike, dhe në përgjithësi frymën e  kompromisit me vendet e tjera anëtare të BE-së.

Për këtë qëllim, ato duhet ta vendosin anëtarësimin në BE në krye të axhendës politike, duke mos u kapur mbas sovranizmit si  “jelek shpëtimi”; nuk janë produktive as argumentat për ndonjë incident ose aspekt se “ janë thjesht çështje dypalëshe dhe jo europiane” apo duke bërë lobing në vende të ndryshme dhe sidomos “ të më të mëdhenjtë” për trysni ndaj vendeve më të vogla.

Gjithashtu, BE-ja e kë bërë të qartë se një vend që dëshiron të bëhet pjesë e tij duhet të tregojë gatishmëri dhe frymë europiane në zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje dypalëshe. BE-ja nuk mund të bart probleme dhe incidente dypalëshe, te cilat fare lehtë mund të kthehen ose interpretohen subjektivisht si çështje europiane; ajo kërkon zgjidhës dhe jo krijues problemesh dhe krizash.

Duke iu kthyer çështjes së vetos, heqja e saj nuk bëhet  me deklarime apo vendime politike të askujt; ajo kërkon detyrimisht ndryshimin  e Nenit 16 të  Traktatit të Lisbonës të vitit 2007. Mirëpo kjo është shumë e lehtë në të thënë por tejet e vështirë, madje e pamundur për ta bërë.

Për ta kuptuar më mirë këtë sqarojmë se Neni 16 i Traktatit të Lisbonës përcakton të gjitha rastet e votës së cilësuar dhe të votimit njëzëri në fushën e politikës së jashtme. Mirëpo në këto raste kërkohet pëlqimi nga vende që përfaqësojnë 55 për qind të popullsisë dhe 14 nga 27 vende anëtare dhe të mbështetur ngavende që kanë 65 për qind të popullsisë së BE-së.

Kësisoj, mbetet vetëm alternativa e heqjes së kësaj vetoje, duke ndryshuar nenin përkatës në Traktatin e Lisbonës. Mirëpo ky është një proces tepër i gjatë, i ndërlikuar dhe pa asnjë garanci suksesi.Mbi të gjitha, duhet miratimi nga të gjitha vendet për të filluar procedurën përkatëse dhe në fund ratifikimin nga secili prej parlamenteve të 27 vendeve anëtare e jo vetëm qeveritë. Mjafton një vend të mos e ratifikojë dhe i gjithë procesi bie poshtë.

Veç kësaj, kjo mundësi sa vjen e vështirësohet për shkak të rritjes së pranisë të së djathtës radikale në Parlamentin e ri Europian dhe në disa vende me peshë të të BE-së, ku zgjerimi pothuajse nukfiguron në axhendën e tyre.

Gjithashtu, pavarësisht nga deklarimet, pengesë tjetër janë dhe vetë vendet e mëdha, duke përfshirë “boshtin” e BE-së, Francën dhe Gjermaninë. Në Francë po diskutohet shumë nëse do të vazhdojnë të ndjekin modelin europian të Monesë apo sovranizmin e De Golit.

Mirëpo, nëse Franca do të heqë dorë nga e drejta e vetos, siç e shprehu kohët  e fundit Macron, kjo do ta kufizonte shumë autonominë dhe të drejtën e saj si vend anëtar i KS të OKB-së për të marrë vendime sovrane në fushën e politikëssë jashtme. Në një rast të tillë ajo nuk do të ketë më mundësi si në vitin 2001 t’i kundërvihet e vetme ose bashkë me ndonjë shtet tjetër një vendimi të padrejtë nga ana e SHBA-ve, Kinës, etj se një vend mund të verë veton ndaj saj.  

Madje, për hir të së vërtetës, ishte Franca ajo që shtrëngoi  më shumë darën e kushteve dhe kërkesave për zgjerimin. Strategjia e zgjerimit e muajit shkurt 2020, sipas të cilës çdo vend anëtar ka të drejtë të vendosë veton në fillim dhe në fund, për çdo grupkapitujsh ishte pikërisht konkretizimi i idesë së Makronit.Gjithashtu, përpara se të zgjerohet me 10 vende të tjera, BE-ja duhet të kryejë reformat e saj të brendshme, me qëllim që të jetënë gjendje të funksionojë me 35 vende anëtare.

Dikush mund të thotë, dakord, por atëhere çfarë do bërë përpara dhe pa shkuar te ndryshimi i Traktatit të Lisbonës, që ” mishi të piqet dhe helli të mos digjet”?

Ajo çka mund të bëjë diplomacia jonë është lobimi për lehtësimin dhe thjeshtimin mundshëm të këtij procesi në strategjinë e re të zgjerimit që pritet të hartohet në muajt e ardhshëm.

Më konkretisht të propozohet dhe lobohet për heqjen e bllokimit nga vendet anëtare dhe të vetos për çdo grup kapitujsh siç është tani,duke e lënë atë mundësi vetëm në fillim dhe në fund të procesit sepse kjo nuk është e shkruar në traktate. Natyrisht që as kjo nuk e përjashton mundësinë e vetos në fjalë në mbarim të procesit; por gjithsesi, deri atëhere, të dyja palët kanë kohë të mjaftueshme për trajtimin dhe zgjidhjen e një problemi të caktuar, pa trysninë e kohës dhe pa shkuar puna te vetoja për çdo grup kapitujsh nga gjashtë që janë gjithsejt, që veç blokimit, ndikon dhe në marrëdhëniet dypalëshe në përgjithësi.

Së fundi, rolin vendimtar për ecurinë e negociatave tona dhe mëtej nuk e ka as heqja e vetos, dhe as gjeopolitka. Vendimtar mbetet faktori i brendshëm dhe kryerja me sukses dhe pa ” ngecje në vend “ e reformave tona madhore. Që ligjet, aktet dhe veprimet tona të ndryshme të mos bien në kundërshtim me frymën dhe gërmat e BE-së por të jenë të linjëzuara me to.  

Tani vërtet dhe përkohësisht mund “ta hedhësh lumin” dhe kështu; por ama do të na “ngeci sharra në gozhdë” kur të vijmë te grupi përkatës i kapitujve; se Brukseli dhe të 26 metropolet e tjera kanë plot truke dhe marifete demokratike për të na thënë « Ndal » kur të shohin se po “dalim nga binarët” europianë, pa përjashtuar “shpatën e Demokleut” – Veton.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit