Koreja e Veriut i ka shkatërruar pjesë të rrugëve dhe linjave hekurudhore në pjesën e vet të kufirit me Korenë e Jugut të martën, duke e nxitur ushtrinë e Jugut të shtjerë në shenjë paralajmërimi.
Pheniani tha javën e kaluar se do t’i shkëpuste plotësisht rrugët dhe linjat hekurudhore ndërkoreane dhe se do t’i fortifikonte edhe më shumë zonat në pjesën e vet të kufirit.
Të martën rreth mesditës, disa pjesë veriore të rrugëve dhe linjave hekurudhore që e lidhin Veriun me Jugun u shkatërruan, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, e cila është përgjegjëse për çështjet kufitare, e dënoi këtë incident duke e cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të kaluar mes dy Koreve.
“Është për të ardhur keq që Koreja e Veriut vazhdimisht po bën sjellje kaq të prapambetur”, tha zëdhënësi i kësaj Ministrie, Koo Byoung-sam.
Tensionet u rritën pasi Veriu e akuzoi javën e kaluar Seulin se po dërgon dronë mbi Phenian.
Koreja e Veriut tha se dronët shpërndanë “një numër të madh” fletushkash kundër Veriut. Kim Yo Jon, motra e liderit Kim Jong Un, paralajmëroi të martën se Seuli do të “paguajë shtrenjtë”.
Qeveria e Koresë së Jugut nuk ka treguar nëse ushtria e saj apo civilët kanë dërguar dronë në Phenian.
Si përgjigje ndaj shkatërrimit të pjesëve të rrugëve, ushtria e Koresë së Jugut shtiu me armë në jug të vijën së demarkacionit ushtarak, edhe pse nuk kishte dëme në pjesën kufitare të Jugut, tha Seuli.
Koreja e Jugut ka thënë se rrugët dhe linjat hekurudhore u ndërtuan me pajisje dhe materiale të saj në vlerë 132.9 milionë dollarë, të dhëna në formë huaje, dhe se Koreja e Veriut është e detyruar ta paguajë borxhin e huave.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut janë ende në luftë teknikisht, pasi lufta mes tyre e viteve 1950-1953 përfundoi me armëpushim, jo me marrëveshje paqeje./REL