Lideri i opozitës Sali Berisha në fjalën e tij në tubim ka denoncuar vjedhjet e qeverisë së Edi Ramës me ndërtimin e rrugëve.
Berisha shprehet se në Kroaci 1 kilometër rrugë ndërtohet me 1.2 milionë euro, ndërsa rruga Shëngjin-Velipojë ndërtohet me 8-fishin e çmimit.
“Një autostradë në Kroaci, do ta përsëris këtë, por duhet përsëritur ama, se kur shikon se në Kroaci, vend anëtar i BE, me standarte europiane ndërtimi që zbaton, aplikon manualin e ndërtimit të BE-së, ndërtohet 1 km rrugë të autostradës Beli- Manastir 27 metra e gjerë me 1.6 milionë euro. Kurse në Shqipëri rruga Korçë-Ersekë ndërtohet me 5 mln euro. Rruga Shëngjin-Velipojë ndërtohet me 8-fishin e rrugës në Kroaci.
A nuk del këtu pra, se çmimet që paguani ju të dashur qytetarë nuk i përcakton kostoja e ndërtimit, por i përcakton oreksi i pangopur i këtyre të babëziturve që vjedhin ditë, që nuk ngopen kurrë së vjedhur ju qytetarëve.”, tha Berisha.