Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ka drejtuar një letër kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit.
Bardhi shprehet se kurrë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri, një kryetar Kuvendi nuk ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë.
“Kurrë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri nuk ka ndodhur që Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të pengojnë një deputet të Kuvendit brenda mjediseve të tij. Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aktiviteti parlamentar është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës.”, shkruan Bardhi.
Ai kërkon nga Spiropali që të informohen se kush ishte autorteti që dha urdhrin për futjen e forcave speciale të policisë së shtetit në mjediste e brendshme të Kuvendit.
“Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambienteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).”, shkruan Bardhi.