Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, shprehu tronditje për masën e sigurisë ndaj babait të saj, i akuzuar në dosjen e SPAK për korrupsion.
Ajo tha se lajmin e morën nga mediat dhe theksoi se nuk kishte asnjë fakt apo provë për akuzat. Xhixho e përshkroi dosjen si “paçavure”, duke theksuar se babai i saj, si ish-kryetar i AKEP, kishte vepruar sipas ligjit dhe se akuzat ishin të pabazuara. Ajo kërkoi që ligji të funksionojë mbi prova të qarta.
“Së pari, duhet të them që patjetër jam e tronditur unë dhe familja ime. Nuk e kemi pritur. E kam marrë vesh nga mediat, ia kam komunikuar unë babait tim dhe nuk ka patur procedurë paraprake.
Babai im ka shumë vite që ka qenë zyrtar i këtij shteti. Në fushën e telekomunikacioneve, ai ka drejtuar AKEP si institucion kushtetues që funksionin me bord. Dhe bordi merr vendime që janë publike.
Nga çfarë pashë unë në dosje nuk pashë asnjë fakt prove vendimmarrje për ato që janë pretenduar. Nuk ka asnjë shkelje të tillë, në dosje. Nuk është akuzuar për asnjë përfitim personal. Ligji duhet të funksionojë mbi prova dhe fakte. Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë për akuzat e hedhura.
Dosja është paçavure, sepse e mire kopsitur duhet të kishte shkeljet ligjore dhe akuzat. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt. Ai do ta ndjerë në rrugë ligjorë gjithë procesin. Është një shtetar që i ka shërbyer me ndershmëri këtij vendi”, tha Xhixho.
Kujtojmë se sipas SPAK, “personi nën hetim Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Meta dhe Kryemadhi jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Për këto arsye, personat nën hetim Meta dhe Kryemadhi ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim Pirro Xhixho, i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale”.