Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson arrestimin e Ilir Metës si një trajtim çnjerëzor, duke e krahasuar me një rrëmbim.
Ajo thekson se pamjet e publikuara janë të papranueshme, sidomos për një ish-president që gjithmonë ka bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë. Xhixho shprehet se kjo situatë dërgon një mesazh të frikshëm: kushdo që denoncon ose është opozitar ndaj qeverisë, rrezikon të përballet me pasoja të rënda.
“Po ndiqja me vëmendje argumentet e specialistëve të drejtësisë, dhe padyshim që është pak të thuash është një rrëmbim. Mjafton të shohësh kamerat, sesi është trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Është akoma më e rëndë kur flasim për një ish-president që nuk i është shmangur asnjëherë institucioneve të drejtësisë, deri në heqjen e imunitetit në karrierën e tij politike.
Ato pamjet çnjerëzore, të tërheqësh zvarrë një person që nuk përbën rrezik publik dhe Artemisi (Artemis Peca, sekretari organizativ i PL), dëshmitar okular, ka treguar shkeljet e parashtruara”, tha Xhixho.
Ajo kritikon numrin e madh të forcave të sigurisë të angazhuara në arrestimin e Metës, duke e quajtur këtë veprim si një turp për demokracinë.
“Jam tronditur se 20 veta në mes të rrugës, për të bërë një shoë, që në kohë reale u publikuan videon, një ngjarje e inskenuar, me mesazh të qartë; kush denoncon, kush është opozitar, kush flet kundër kësaj qeverie, përfundon në këtë gjende. O në burg o në arrest. Ky është mesazhi që jep kjo qeveri në këtë moment. Të godasësh dhe të prekësh një zyrtar politikan, lider të opozitës, është turp dhe një ngjarje të rëndë”, tha Xhixho.