Kryeministri Edi Rama ka shprehur pikëllimin e tij për raportimet e të vdekurve dhe të plagosurve pas sulmit në Ankara, duke theksuar se Shqipëria qëndron ngushtë pranë Turqisë si dy vende vëllazërore dhe aleate të NATO-s.
Në një postim në aplikacionin X, ai e dënoi fuqishëm terrorizmin në të gjitha format e tij dhe shprehu besimin se Republika Turke do të dalë më e fortë nga ky sulm frikacak ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga raportimet e të vdekurve dhe të plagosurve në Ankara. Shqipëria qëndron me Turqinë si dy vende vëllazërore dhe aleate të NATO-s. Ne e dënojmë fuqishëm terrorizmin në të gjitha format e tij dhe mbetemi plotësisht të bindur se Republika Turke do të dalë më e fortë nga një sulm kaq frikacak ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm”, u shpreh Rama.