BDI informon se sot, se kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas liderëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë i ka dërguar një letër zyrtare drejtuar edhe kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre mbi kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit.
Letra është përgjigje ndaj sfidave serioze me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm gjeopolitik, kur çdo tension i ri mund të ketë pasoja negative për marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin e brendshëm shtetëror.
Letra e Ali Ahmetit drejtuar Hristijan Mickoskit
I nderuar z. Hristijan Mickoski
Kryetar i VMRO-DPMNE
Po ju drejtohem në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për vendin tonë. Gjendja gjeopolitike është më e rrezikshme se kurrë më parë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën e ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe bllokadat e vazhdueshme nga Bullgaria. Në këtë mjedis të ndërlikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë.
Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat duket se janë ekzekutim i programit të partisë suaj për të shfuqizuar mekanizmat kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek të gjithë qytetarët që janë të përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të qëndrueshme në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja e Ohrit, e cila solli një mirëkuptim më të mirë ndëretnik, nuk është vetëm një çështje politike, por një themel i demokracisë sonë shumëetnike dhe përparimit demokratik. Çdo përpjekje për ta vënë atë në pikëpyetje, veçanërisht në kontekstin aktual, është një hap që mund të përkeqësojë situatën në vend dhe rajon.
Vendimet për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është element kyç i Marrëveshjes së Ohrit, nuk janë vetëm politikisht të diskutueshme, por edhe të dëmshme për përparimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve. Ky është një zhvillim që mund të minojë përfitimet e fituara me përpjekje të mëdha dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie.
Prandaj, ju bëj thirrje të reflektoni me maturi dhe përgjegjësi për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumëetnik në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e vendit tonë duhet të ndërtohet mbi bazën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo mbi ndarje. Çdo hap që prish këto themele është i dëmshëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të gjithë qytetarët e tij, pa dallim etnie.
Ahmeti letër liderëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Rrezikohet marrëveshja e Ohrit