Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato mbështeti me ekspertë komisionin e posaçëm kundër dezinformimit, por theksoi se kjo nuk duhet të cenojë lirinë e medias.
“Të gjitha nismat për t’u përballur me manipulimin e informacionit, si dhe sigurimin e lirisë së medias, nuk mund të jenë njëra në kurriz të tjetrës.
Lufta kundër ndërhyrjes së huaj apo dezinformimit nuk ka të bëjë thjesht me rregullimin e medias në internet apo, më keq, me moderimin e përmbajtjes, por kërkon një qasje më të gjerë, që duhet të përfshijë përmirësimin e kuadrit ligjor për ndërhyrjen në proceset demokratike.
Sa i takon transparencës dhe qasjes së gjerë, duhet të vazhdojnë konsultimet me shoqërinë civile, që është shumë e rëndësishme” tha ambasadori ditën e sotme gjatë një takimi për këtë nismë të socialistëve. Opozita e ka bojkotuar komisionin.