Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian më herët se viti 2030. Ai theksoi se reformat do të përshpejtohen për të arritur këtë qëllim.
Gjatë një interviste për emisionin “Programi 200” në televizionin “Alsat”, Hasani shpjegoi se Shqipëria ka një plan pune të qartë me Komisionin Evropian, duke pritur që ky plan të realizohet brenda 3-4 viteve.
“Shqipëria ka një plan pune të përcaktuar me Komisionin Evropian me mënyrën se si do të hapen grup-kapitujt, kur do të mbyllen dhe si do të vazhdojë puna që është i detajuar dhe është i qartë dhe jemi të dakordësuar në të gjitha aspektet. Unë këtë plan e shoh të realizueshëm në 3-4 vitet e ardhshme. Pastaj vjen dhe njëherë negociata politike që ne duhet të bindim politikisht parlamentet e vendeve anëtare të BE-së që jemi gati dhe kjo do 1 vit e gjysmë, 2 vjet. Prandaj 2030-a jo vetëm është reale, jo vetëm është aty, por ne na bën gjithnjë e më shumë optimistë që thjesht duhet të përshpejtojmë axhendën e reformave të cilat kemi marrë përsipër në mënyrë që kjo datë edhe të afrohet”, tha Hasani.
Hasani nënvizoi se reforma në drejtësi është një nga angazhimet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe se lufta ndaj korrupsionit do të jetë prioriteti i ardhshëm.
“Reforma në Drejtësi që Republika e Shqipërisë ka bërë është jo vetëm një reformë historike, për sa i përket të gjithë periudhës së pavarësisë së shtetit shqiptar. Për herë të parë ne kalojmë në një dimension komplet tjetër të angazhimit të njerëzve që punojnë në drejtësi me qeverinë dhe me qytetarët, por dhe lufta që po i bëjmë korrupsionit”, tha Hasani.