Partia Demokratike mblidhet sot për të zhvilluar Kuvendin Kombëtar, një ditë pas konfirmimit të Sali Berishës në krye të partisë, në një garë pa kundërkandidat.
Gjatë punimeve, drejtuesi i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, pritet të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore, të cilat më pas do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe për organizimin dhe funksionimin e partisë.
Kuvendi pritet të përcaktojë gjithashtu drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme. Sipas informacionit zyrtar, ndryshimet statutore nuk do të prekin “Nenin Basha”, që parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.









