Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ditës së sotme, duke theksuar terrorin që përjetojnë qytetarët nën kërcënimin e krimit.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu shqetësimin se policia është e angazhuar në ndjekjen e opozitës, duke lënë krimin të veprojë lirshëm.
Spahia thekson se Shkodra dhe Shqipëria po përballen me një situatë alarmante, ku lidhjet mes shtetit dhe krimit të organizuar kanë krijuar një atmosferë të rrezikshme, duke penguar parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike.
Postimi i plotë
Ngjarja tragjike në Shkodër për fat të keq tregon edhe njëherë terrorin në të cilin jetojnë çdo ditë qytetarët Shkodranë nën thundrën e krimit.
Ndërkohë që policia politike është e angazhuar në përndjekjen e persekutimin e opozitës që proteston kundër kriminalizimit të shtetit, krimi sundon i qetë.
Shkodra dhe gjithë Shqipëria vuan sot shkrirjen në një të shtetit me krimin e organizuar, përndryshe ngjarje si kjo e sotmja me disa viktima do ishin parandaluar.