Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se tre orët e djeshme ishin tre orët e çlirimit të vendit.
Berisha u shpreh se opozita nuk do të ndalet dhe nuk ka frikë nga narkoshteti.
“E provuam dje dhe narkopolicia ndërhyu ndaj protestuesve paqësore. Ata ndërhyn por dështuan pasi protesta vazhdoi ashtu siç ishte parashikuar. Edi Rama e di që ishin tre orë, por herën tjetër do jenë tre ditë ose tre javë, muaj, por edhe okupim i institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk funksionon dot. Edi Rama duhet të ndërpresë dhunën dhe të krijojë qeverinë teknike”, deklaroi Berisha.
Më pas ai u kthehet Ramës duke i thënë pse ke frikë.
“Krijo qeverinë teknike, dhe të shohim kush i fiton zgjedhjet! Të shohim kë do votojnë pensionistët që i mashtrove. Të shohim kë do votojnë biznesmenët që i lakon hajdutë. Të shohim kë do votojnë rinia që i cilësoni me epitetet më fyese dhe i përzë nga Shqipëria. Të shohim kë do votojnë mjekët që i akuzon për krime ndaj njerëzimit. Të shohin kë do votojnë familjarët, që sot i kanë shtëpitë bosh se ju përzure fëmijët e tyre nëpër botë. Ja pse ka frikë Edi Rama nga vota e lirë. Ja pse nuk e do qeverinë teknike.”, tha Berisha.
Ai theksoi se qeveria teknike nuk është më kërkesë e opozitës por me qeveri teknike do krijohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.