-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

‘Realiteti është i qartë, po marrin frymë lirshëm’! Kosova dhe Serbia përplasen në OKB

Kryesoret

Kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë janë përplasur në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës. Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.

Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare.

“Realiteti është i qartë. Përfundimisht, qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha Gërvalla.

Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.

Ai tha se Serbia qëndron me serbët në Kosovë dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë.

“Koha për veprime vendimtare është tani. Veprimet e Prishtinës vazhdon të minojë stabilitetin, shkelin të drejtat e njeriut dhe injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Na duhen pasoja të qarta. Duhen të vendosen sanksione ndaj administratës së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe duhet zero tolerancë ndaj veprimeve të tjera të njëanshme që nxisin konflikte dhe tensione”, tha ai.

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Zijadeh, përmendi shqetësimin e shprehur nga sektori civil serb, banorët dhe partitë politike lidhur me vendimet për mbylljen e institucioneve në veri – që vepronin sipas sistemit serb – për ndikimin që kanë në jetën e tyre.

“Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime me rëndësi kyç, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve.

Sipas Gjuriqit, Kosova nuk do që ta themelojë këtë asociacion, për të cilin tha se nuk është opsion, por obligim nga dialogu i Brukselit.

Por, Gërvalla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është i interesuar që Asociacioni t’ua lehtësojë jetën serbëve të Kosovës.

“Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë. Sikurse [presidenti rus, Vladimir] Putin me Ukrainën, Vuçiqi nuk do asgjë më pak sesa zhdukjen e Kosovës”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk është e interesuar për dialog, duke e akuzuar Beogradin për bllokim të procesit.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit prej vitit 2013. Më 2015, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Ndërsa, vitin e kaluar, ato e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.

Gërvalla po ashtu foli për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se ky ishte vetëm tentimi i parë, siç tha, i Serbisë, ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se Vuçiqi “po përgatitet për më shumë”.

“Sulmi i Serbisë i 24 shtatorit të vitit të kaluar u planifikua si invasion ushtarak dhe aneksim i një shteti paqësor që ka mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë, ai ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit kundër një shteti me prani të NATO-s.

Është test për Perëndimin, test për më shumë. Dhe Vuçiqi e Putini nuk po heqin dorë. Prandaj, fillimisht na duhet parandalim, e më pas dialog. Vetëm me parandalim, paqja dhe siguria mund të jenë të sigurt”, tha ajo.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin në Banjskë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndaj tij dhe dhjetëra serbëve të tjerë, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.

Gërvalla tha se Kosova kërkon ekstradimin e Radoçiqit nga Serbia.

Ndërkaq, Gjuriq tha se Kosova duhet të ofrojë dëshmitë, që Serbia i ka kërkuar për sulmin në Banjskë dhe të tregojë se si u vranë tre sulmuesit serbë, gjatë këmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit