Ministri Taulant Balla zhvilloi një takim me studentë dhe profesionistë shqiptarë në Selanik, ku theksoi se Shqipëria është bërë një vend gjithnjë e më tërheqës për mundësi ekonomike dhe profesionale, përveç turizmit.
Gjatë fjalës së tij, Balla vlerësoi cilësinë e edukimit që ofrohet në Selanik dhe angazhimin e shqiptarëve për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Ai ftoi të rinjtë të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se vendi tashmë është në nivel të barabartë në tryezat ndërkombëtare.
“Nuk kam gjetur deri tani një që të ketë studiuar në Selanik dhe të mos jenë në një nivel shumë të mirë në aspektin profesional. Më vjen mirë që këtë vizitë në Selanik e bëj këtu, mes dhjetëra profesionistëve. Keni shkëlqyer në arsim, por nuk i keni humbur lidhjet e ngushta me Shqipërinë,” tha Balla.
Pjesëmarrësit shprehën interesin për t’u kthyer dhe kontribuar në fusha të ndryshme, duke e bërë këtë takim një hap përpara për lidhjet e forta mes diasporës dhe atdheut.
“Sot Shqipëria ulet si një vend i barabartë në të gjitha tryezat ndërkombëtare ku ftohet. Shqipëria është bërë tërheqëse edhe në aspektin ekonomik. Nuk hezitoj aspak t’jua bëj ofertën për të ardhur dhe për të punuar në Shqipëri”, përfundoi Balla.