Basha për Ramën: Krimi dhe korrupsioni janë në shërbim të qeverisë
Lulzim Basha, lideri i opozitës, ka shpërndarë një postim në Facebook ku shprehet mbi situatën politike dhe sociale në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Basha thekson se shqiptarët po përballen me pasiguri dhe varfëri në një vend që përballet me sfida serioze.
Në postimin e tij, Basha thekson se ata që nuk vjedhin dhe nuk bashkëpunojnë me krimin janë në gjumë sipas Ramës. Ai akuzon Ramën për menaxhim të dobët dhe lidhje me figura të dyshimta, duke e quajtur atë “kryeministri me mandat krimi”.
“Ai që nuk vjedh, ai që nuk bashkëpunon me krimin, ai që nuk arrin deri aty sa të korruptojë edhe shefin e FBI-së të partnerit tonë strategjik, fle gjumë sipas Edi Ramës.
Për turpin e tij sot në mbarë botën tregohet me gisht si kryeministri me mandat krimi në Durrës, me sekser Jurgis Çyrben.
Kryebashkiaku i tij i pagjumë për të vjedhur me inceneratorë e 5D, pastron paratë e krimit në kullat shumëkatëshe të Tiranës. Ky nuk është problem për Edi Ramën, sepse ai qëndron prapa tij.
Zëvendëskryeministri në arrati i pandehur për korrupsion, nuk është shqetësimi i Edi Ramë, sepse gjithçka është bërë me dijeninë e tij.
Krimi në pushtet e pushteti në shërbim të krimit nuk është problemi i Edi Ramës, sepse gjithçka është bërë me urdhrat e tij.
Një e nga e një e gjithë qeveria i ka shkuar në burg, sepse kanë vjedhur paratë e shqiptarëve, sepse kanë bashkëpunuar me krimin dhe ky si gjeli majë plehut krekoset për arritjet imagjinare.
Shqiptarët janë të parët si azilkërkues nga një vend që nuk është në luftë, pensionistët kanë pensionet më të ulëta në rajon, qytetarët paguajnë 60% të shpenzimeve për shëndetësinë “falas” nga xhepi i tyre, kjo qeveri u rimburson ilaçe pa asnjë efekt për trajtimin e sëmundjeve, vendi ynë ka çmimet më larta dhe pagat më të ulëta në Europë. Ky është realiti që rëndon sot mbi shqiptarët.
E ndërsa nuk i mashtron dot më shqiptarët, vjen vërdallë nëpër botë për t’u folur atyre të cilët duhet të mbajnë me para edhe familjen në Shqipëri për shkak të keqqeverisjes së tij.
Propaganda dhe shfaqjet e kushtueshme nëpër botë nuk i mbushin xhepat e shqiptarëve, por i varfërojnë edhe më tej ato.”