Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është momenti që Kosova të nënshkruajë një kontratë të re me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e kritikuar kryeministrin Albin Kurti për rrezikimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë.
“Ka ardhur koha për një kontratë të re me SHBA. Shtëpia e Bardhë është busulla e politikës sonë të jashtme. E mjerë është ajo qeveri kur për katër vjet, kryeministri i saj nuk arrin t’i ruajë marrëdhëniet, me aq mund të krijuara, me partnerët strategjikë të Kosovës, por përkundrazi t’i rrezikojë ato. Një kryeministër që për të parën herë në histori e fut vendin e vet nën sanksione të BE-së e të Amerikës, dhe që asnjëherë nuk arrin të jetë mysafir në Shtëpinë e Bardhë. Jo më populizëm në kurriz të aleatëve”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se pas 9 shkurtit, Kosova do të ndalë izolimin dhe sanksionet, duke u bërë një vend më tërheqës për partneritet dhe duke synuar anëtarësimin në NATO.
“Kosova kurrë më nuk do të sanksionohet e as izolohet. Kosova do të shndërrohet në një vend të dëshiruar për partneritet. Ambasada e Kosovës në SHBA do të rritet në mënyrë përmbajtësore, me diplomatë dhe bashkëpunëtorë, dhe do të shndërrohet në një mini-Kosovë në mes të Ëashingtonit. Do t’i rrisim misionet tona në Neë York, Londër, Paris, Berlin, Romë, Vjenë, Bern dhe kudo që ka nevojë. Kosova është shtet dhe do të sillet si shtet. Bashkë me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe mekanizmat e tjerë të vendeve aleate dhe të Bashkimit Evropian, do të koordinohemi për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare. Me ne, pas 9 shkurtit, do të ndodhë Kthesa e Madhe edhe në politikën e jashtme”, ka shtuar tutje ai.