Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se Ukraina ka humbur tashmë luftën kundër Rusisë dhe se Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të ndërpresë mbështetjen amerikane për Kievin.
Orban theksoi se nëse Trump do të kishte fituar në vitin 2020, lufta do të ishte shmangur.
“Nëse Donald Trump do të kishte fituar në vitin 2020, këto dy vite makthi nuk do të kishin ndodhur, nuk do të kishte pasur një luftë”, tha kryeministri Orban. “Situata në front është e qartë, ka pasur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”, tha ai.
Ky qëndrim vjen në një moment kur udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar për mundësinë që ndihma perëndimore për Ukrainën të zvogëlohet pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane.