Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, Ramush Haradinaj në kuvendin e pestë zgjedhor të Organizatës të Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë tha se “Anëtarësimi në NATO do të hapë rrugën për hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që opozita duhet ta largojë Albin Kurtin nga qeverisja aktuale pasi me antiamerikanizmin e tij, ai po e rrezikon vendin”.
Ai ka thënë se hyrja e Kosovës në NATO është shumë e rëndësishme, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të ndihmojë Aleancën Veri-atlantike dhe se hyrja në këtë organizatë do të hapte rrugën për hyrje edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
“Ne duhet ta ndryshojmë Kurtin. E kush e ndryshon, duhet ne opozita. Unë nuk është se jam në dashuri të madhe as me PDK-në, as me LDK-në, por duhet të punoj me ta për ta hequr këtë njeri (Kurtin). Për fat të keq ai ka vazhduar të sillet si antiamerikan. Ka arritur të krijojë një bindje në popullin e vet si antiamerikan që është rrezik për ne dhe është gabim. Na duhet një ndryshim”, ka thënë Haradinaj.