Ditën e premte më 8 nëntor 2024 në Sallën e Universitetit të Arteve në kryeqytet u mbajt koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së “Nderi i Kombit”. Drejtuar nga dirigjenti Ermir Krantja “Nderi i kombit” Orkestra solli për publikun një program të veçantë veprash premierë: poemën simfonike “Imazhe digjitale” (Vepër premierë botërore) të kompozitorit Nestor Kraja dhe Simfoninë Nr. 2 nga Alexander Borodin, premierë në Shqipëri.
Programi përmbante edhe disa arie të Puçinit të interpretuara nga sopranoja Besa Llugiqi. Kjo mbrëmje e ngrohtë muzikore përcolli emocione të shumta dhe u prit nga publiku me duartrokitje të gjata drejtuar Orkestrës dhe të gjithë protagonistëve: Mjeshtrit Krantja i njohur për karrierën e gjatë si dirigjent i orkestrave tona më të rëndësishme, asaj të Operas e Baletit e Orkestrës Simfonike të RTSH, kompozitorit Kraja që bashkëndau me publikun në sallë emocionin e një krijimi të ri që e takonte publikun për herë të parë.
Të pranishmit në sallë duartrokitën me dashuri sopranon Besa LLugiqi që interpretoi arie nga kryeveprat Operistike “Manon Lescaut”, “Madama Butterfly” dhe nga Opera “Turandot” në këtë 100 vjetor nderimi kushtuar kompozitorit të shquar italian. “Artisti i Merituar”, mbajtës i titullit “Naim Frasheri i Artë”, vlerësuar me Çmimin ndërkombëtar Akademik – “Ylli i Artë”, “Nderi i kombit” Ermir Krantja i paraqitej publikut në këtë vit që përkon edhe me 55 vite karrierë të shkëlqyer si dirigjent.
Ndërkohë për veprën premierë, poemën simfonike “Imazhe digjitale” kompozitori i saj Nestor Kraja ndër të tjera shprehet: “…Në vepër paraqiten dy tema kryesore dhe një episod i zgjeruar të cilët tentojnë të krijojnë dramën e kohës. Tema e parë energjike, e vrullshme, madhështore kornizohet nga një material i përbërë nga katër akorde të quajtura “Tablotë digjitale” i lë vendin temës së dytë, lirike, elegante, kantabile, personifikim dashurinë njerëzore, jetës së vërtetë dhe të bukur plot shqetësime të ëmbla.
Ajo zhvillohet gradualisht deri në një himn për dashurinë, Episodi pikturon jetën me misteriozitetin e saj, me frymën mistike të të kuptuarit e ndryshëm të saj, herë me karakter vallëzues e herë të trembur apo të trishtë, ku gërshetohen imazhe sa poetike aq dhe dizhitale.
Loja e këtyre “personazheve” zbulon brenda trajektores së zhvillimit të tyre atë mesazh që kompozitori kërkon të paraqesë si shqetësim, aprovim apo kundërshtim të filozofisë së kohës. Vepra mbyllet me temën e dytë e cila arrin në zhvillimin e vet tingujt më të lartë të sublimitetit eterik”. Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar do të vijojë me koncertin e ardhshëm në datën 20 nëntor.










