Policia e Vlorës, në bashkëpunim me atë të Fierit, ka finalizuar operacionin “Labirinti”, pas një hetimi 6-mujor. Gjatë operacionit janë arrestuar 11 persona të dyshuar për shpërndarje të kanabisit dhe drogave të forta në Vlorë dhe Fier. Ndër të arrestuarit janë Fatjon Omeri, 34 vjeç, Jurgen Bidaj, 25 vjeç, Drini Gjika, 24 vjeç, Arbri Osmeni, 32 vjeç, Erion Shameti, 42 vjeç, Iris Heqimaj, 29 vjeç, Neim Hasani, 33 vjeç nga Tepelena dhe Klevis Xhafa nga Tirana.
Po ashtu, janë arrestuar edhe vëllezërit Emauriso Kuka, 18 vjeç, dhe Ervis Kuka, 21 vjeç, të cilët aktualisht vuajnë dënimin në burg për “Vrasje”. Ndërkohë, është arrestuar edhe Ardjan Halili, 54 vjeç, që është në burg për “Mashtrimi”.
Një tjetër arrestim ka ndodhur për një të mitur 17-vjeçar, i cili u kap me doza kanabisi në banesën e tij. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni ka zbuluar një rrjet të strukturuar të trafikimit të drogës në këto dy qytete dhe hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
11 të arrestuar për trafik droge në Vlorë e Fier, 2 në kërkim