Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionin e Sterilizimit, Albana Vokshi, ka kërkuar një shtyrje të afateve të komisionit, duke theksuar se ende mbeten 10 dëshmitarë pa u pyetur, përfshirë emra të rëndësishëm si Vilma Nushi dhe Kryeministri Edi Rama. Ajo theksoi se është e domosdoshme që këta dëshmitarë të paraqiten për të dhënë dëshmitë e tyre, pasi konsiderohen kyçe për hetimin e zhvilluar deri më tani.
Vokshi tha se ende nuk ka pasur përgjigje nga autoritetet italiane dhe nga shtetasit që janë thirrur në komision, përfshirë aksionarët e kompanisë që menaxhon koncesionin e sterilizimit.
Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Plarent Ndreca, u shpreh se dëshmitarët që janë pyetur deri tani janë të mjaftueshëm për të përfunduar hetimin dhe shtoi se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë më tej afatin e komisionit.
Ndreca: Z. Fani ka çuar një e-mail që është jashtë shtetit. Pasi të përfundojë procedura me dy dëshmitarë duhet të diskutojmë si ta marrim dëshminë e z.Fani në mënyrë që të mos humbim dhe afatin e komisionit. Sa i përket tre shtetasve italianë, nuk është se kemi një instrument juridik për t’i detyruar që të vijnë dhe dëshmojnë para komisionit sa kohë nuk i nënshtrohen juridiksionit shqiptar. Sa i përket emrave të tjerë që janë të padakordësuar, unë mendoj se nuk kemi përsërisim të njëjtin debat. Ne kemi rënë dakord për ca dëshmitarë dhe këta janë ezauruar, dhe janë pyetur dëshmitarët më të rëndësishëm, përveç z. Fanit. Sa i përket afatit të komisionit mendoj që absolutisht nuk ka më asnjë vend për ta shtyrë më. Kemi kryer hetim të plotë, të gjithanshëm.
Sot kemi dhe dëshmitarin kryesor, z.Beqaj i cili besoj më shumë se kushdo tjetër do japë të dhëna, dëshmi për procedurat që janë objekt i këtij komisioni hetimor. Unë mendoj që të fillojmë pa humbur kohë me pyetjen e z.Beqaj.
Vokshi: Z. Beqaj është një prej dëshmitarëve, as më kryesori, as më i rëndësishme. Të pranohet të shkelet afati që të vijë Fani dhe të mos vijë Vilma Nushi, e cila është përfituese direkte dhe indirekte sepse vetëm divident ka marrë 1.7 mln euro do të thotë që keni porosi direkte për ta mbrojtur.
E lëshuat dhe Ilir Beqajn, por Vilma Nushin jo. Vilma Nushi nuk del mbi ligjin. Vendimi i GJK e ka të qatë që nuk i mohohet deputetëve të opozitës kërkesa për çdonjërin dëshmitar që mendohet se është kyç për ecurinë e këtij komisioni. Unë kam kërkesat e deputetëve për të dhënë dëshminë Vilma Nushi, Edi Rama dhe sigurisht Fani.