Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti në një takim në Tiranë kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Gjatë diskutimeve, Spiropali theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe kontributin e tyre në stabilitetin dhe proceset euroatlantike të vendit.
Ajo theksoi se integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është i lidhur ngushtë me përmbushjen e standardeve dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, duke vlerësuar se ky proces shërben për forcimin e lidhjeve rajonale dhe ekonomike.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit të vendit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore, kaq shumë i rëndësishëm sidomos në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë. Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit europian të Maqedonisë së Veriut”.
“Ne inkurajojmë një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë”, është shprehur ndër të tjera Spiropali.