Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të mëdha në rajonin e Sicilisë, në Itali. Rrugët e fshatit Torre Archirafi, në Riposto (provinca e Catanias), u kthyen në lumenj, duke përmbytur automjetet dhe i shpërndarë ato deri në det. Fatmirësisht, deri tani nuk raportohet për viktima.
Zjarrfikësit shpëtuan disa persona në Aci Sant’Antonio, të cilët ishin bllokuar në supermarketin e mbushur me ujë, si dhe shoferë të bllokuar në makinat e tyre. Po ashtu, një person u shpëtua nga një shtëpi e përmbytur në Acireale.
Pjesa më e prekur përfshinte Giarre, Acireale dhe Linguaglossa. Zjarrfikësit kanë realizuar deri tani 64 ndërhyrje në të gjithë provincën.