Prokuroria e Pejës ka zbuluar detaje të reja për ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së kaluar në Klinë, ku dy të rinj u qëlluan me armë zjarri për vdekje nga një person tjetër.
Sipas të dhënave nga prokuroria, dy viktimat 20 dhe 21-vjeçarë ishin të afërm me njëri-tjetrin, teksa autori i dyshuar iu afrua atyre brenda lokalit dhe qëlloi 4-5 plumba.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçit, lidhur me rastin do të intervistohen edhe shumë persona të tjerë, të cilët mund të kenë njohuri.
Autori tentoi të largohej nga vendngjarja pas krimit, por policia arriti që ta arrestojë pas disa minutash.
“Për ta trajtuar këtë çështje me prioritet, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të gjitha njësitet relevante policore, të udhëhequra nga dy prokurorët e krimeve të rënda,nga Prokuroria Themelore në Pejë, të cilat na vendin e ngjarjes kanë sekuestruar prova, të cilat do të shërbejnë në procedurë penal”, shkruhet në njoftim.