Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca rreth orës 16:45 minuta të pasdites së sotme doli nga SPAK-u pasi u thirr për t’u marrë në pyetje për një hetim që prokuroria po zhvillon për kohën që ka qenë sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Brendshme.
Konkretisht për shkelje të barazisë në tendera. Deputeti socialist, tashmë në cilësinë e të pandehurit u mor në pyetje për rreth katër orë.
“Do të shprehem në atë moment që unë e gjykoj se është momenti i duhur. Mos u nxitoni do të shprehem për të gjitha në momentin e duhur. Çështja konsiderohet akoma nën hetim” tha ai pas daljes nga SPAK-u.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka bërë një kallëzim me pretendimin se gjatë një tenderi për rikontruksionin e 4 komisariateve në rang vendi ka pasur abuzime dhe “fryrje” të kostove për komisariatin e Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet.