Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda priti në një takim prezantues përfaqësues të DEA-s me qendër në Athinë. Në takim përfaqësuesi i DEA-s John Livanis u shoqërua edhe nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy dhe uroi Prodën për detyrën e re si dhe çmoi bashkëpunimin e deritanishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Atasheu Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë shqiptare në të gjitha frontet e luftës kundër fenomeneve kriminale.
Ndërsa Proda shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s, në operacionet policore ndërkombëtare për shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjithashtu Proda garantoi se gjejnë angazhim, profesionalizëm dhe besueshmëri për çdo iniciativë që do të ndërmerret në të ardhmen, kundër krimit të organizuar.